Shkolla 9-Vjecare Kastriot Diber
SHkolla 9-vjecare Kastriot Forum - Welcome

Mire se vini ne kete web dhe forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne programe,diskutime,kuriozitete, dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Regjistreohuni qe te keni mundesi te shkarkoni programe.
Stafi.


PËRGJEGJËSIA E MËSUESIT PËR MËSIMDHËNIEN

Shko poshtë

PËRGJEGJËSIA E MËSUESIT PËR MËSIMDHËNIEN

Mesazh nga Mufit Kaloshi prej Sun Jan 19, 2014 10:17 pm

PËRGJEGJËSIA E MËSUESIT PËR MËSIMDHËNIEN

Arsyet që më nxitën për të shkruar rreth këtij problemi janë:
• niveli i mësimdhënies dhe i edukimit që na prezantojnë mësuesit me nxënësit në procesin mësimor.
• niveli i vetë nxënësve që po përjetojmë si rrjedhojë e kësaj mësimdhënie dhe edukimi që na ofrohet nga puna e mësuesve.

Mësimdhënia e suksesshme e mësuesit me nxënësit në kuptimin e gjerë pedagogjik mendoj se matet jo vetëm në aftësitë e tij shkencore dhe metodike për të dhënë lëndën, që kjo e fundit të bëhet e dashur dhe e lehtë për t’u përvetësuar nga nxënësit, por edhe në aftësitë që tregon mësuesi për ta edukuar nxënësin me norma të tilla, që të reflektojë në kontaktet me të tjerët në çdo mjedis ku ndodhet, se është vërtetë nxënës që ka marrë një edukim të shëndoshë në shkollë. Pa dyshim kur nxënësi e ka marrë një edukim të tillë, bëhet i dobishëm dhe i vlefshëm jo vetëm për veten dhe familjen e tij, por edhe për shoqërinë dhe kombin e vet.
Është kjo pra arsyeja që detyra e mësuesit për mësimdhënien dhe edukimin është një detyrë me shumë përgjegjësi. Natyrisht për ta kryer suksesshëm këtë detyrë nuk është e lehtë, pasi te mësuesi kërkohen jo vetëm aftësi profesionale, por që ai të jetë edhe njeri human, zemërgjerë dhe i durueshëm, e ketë duhet ta vlerësojë ç’do mësues pasi e tillë është natyra e profesionit që ushtron, por ama jo e pamundur për t’u realizuar.

Që të jem sa më objektiv e sa më pranë realitetit, mendoj ta analizoj problemin në dy këndvështrime:

1. Sa e ka vlerësuar vetë mësuesi detyrën e tij në punën e përditshme me nxënësit.
2. Sa është vlerësuar nga organet eprore kontrolli i punës së mësuesit, përgjegjësia që ai ka për mësimdhënien.

Lidhur me këndvështrimin e parë mendoj se:
Janë të pakët mësuesit që e vlerësojnë detyrën që kanë. Në këtë drejtim përmendim mësuesit pasionant, ata që kanë sedër dhe ambicie profesionale. Ata që i han meraku për të shpalosur para nxënësve aftësi dhe cilësi, që lënda e tyre të përvetësohet sa më suksesshëm.
Madje do të thosha se emri i këtyre mësuesve që shpalosin të tilla vlera lakohet për mirë si në gojën e nxënësve ashtu edhe të prindërve të tyre jo vetëm kur ushtrojnë detyrën e mësuesit, por edhe kur dalin në pension, pra gjatë gjithë jetës. Po jo të gjithë mësuesit janë të tillë. Në shkolla kemi edhe nga ata që nuk e vlerësojnë sa duhet detyrën që u është besuar.
E të tillë nuk janë pak. Kjo reflektohet edhe në përgatitjen e përditshme që bëjnë për mësimdhënien, cilësinë e orës së mësimit që demonstrojnë para nxënësve. E keqja është se të tillë mësues as që nuk bëjnë përpjekje për të studiuar të rejat e shkencës që japin, literaturën pedagogjike të kohës, artin e mësimdhënies për t’u aftësuar profesionalisht, ndonëse një literaturë e tillë nuk mungon në tregjet tona.
Opinioni që shpreha bazohet jo vetëm në vëzhgimet e bëra për problemin që bëhet fjalë, por edhe në anketimet e bëra me nxënësit dhe prindërit. Natyrisht dihet edhe respekti dhe konsiderata që gëzojnë këta mësues, në masën e nxënësve dhe prindërve për punën që bëjnë.
Në përgjegjësinë e punës së mësuesit me nxënësit në aspektin e edukimit do të vlerësoja si të rëndësishme edhe pamjen e jashtme të tij, uniformën që ai prezanton para nxënësve.
Ndonëse për uniformën e mësuesit këto vitet e fundit është tërhequr vëmendja nga ana e MASH, madje enkas për këtë problem është dërguar edhe një qarkore e veçantë në të gjitha shkollat e vendit tonë se si duhet të vijnë mësuesit në shkollë, realiteti po tregon se kemi ende mësues që nuk e respektojnë sa duhet uniformën që i takon.
Në këtë drejtim përballemi tek-tuk edhe me veshje ekstravagante që nuk rrezaton kulturë në drejtim të edukimit të nxënësve, përkundrazi ç’edukon tek ata.

Në aspektin e edukimit dhe të mësimdhënies si dukuri negative veçojmë edhe fjalorin antipedagogjik që reflektojnë disa mësues gjatë komunikimit me nxënësit në rastet kur i qortojnë për të metat dhe mangësitë që u konstatojnë në aspektin e punës mësimore-edukative.

Lidhur me këndvështrimin e dytë mendoj se kontrolli i punës së mësuesit si mësimdhënës dhe edukator është lënë disi me një anë nga ana e organeve eprore. Një dukuri e tillë ka bërë për mësuesin që ai ta ndjejë veten e tij jashtë kontrollit dhe përgjegjësisë lidhur me profesionin që ushtron e për rrjedhojë edhe niveli i mësimdhënies ka rënë.

Po nga ka ardhur mungesa e këtij kontrolli dhe e këtij vlerësimi? Në këtë drejtim mendoj se ka ardhur nga këto faktorë:
Po e fillojmë në radhë të parë nga kontrolli i brendshëm që ushtrohet për punën e mësuesit. Pra, nga drejtoria e shkollës.
Dihet që drejtori i shkollës ka një normë kontrolli enkas për të vëzhguar cilësinë e mësimdhënies te mësuesit me të cilët ai punon. Ndaj jo pa qëllim ka më pak orë mësimore, pikërisht për ta realizuar suksesshëm një detyrë të tillë.
Por siç kanë pohuar edhe vetë drejtuesit e shkollave, prania jonë në mbledhjet e shpeshta, apo informacionet e shumta që po na kërkohen nga organet eprore për probleme nga më të ndryshme që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e punëve në shkollë, po pengon ndjeshëm realizimin e kontrollit që bëhet fjalë.
Mendoj se drejtuesit kanë të drejtë, pasi këto vitet e fundit vihet re se nga ana e instancave eprore duke filluar nga MASH, po dërgohen shumë shkresa dhe udhëzime, po kërkohen shumë informacione për këtë apo atë problem në shkolla. Këtë dukuri e ndjejë edhe unë në pozicionin ku punoj si menaxhues i këtyre shkresave dhe udhëzimeve në lidhje me shkollat që kam në vartësi.
Mendoj se një fluks i tillë shkresash dhe informacionesh që kërkohen, është një praktikë pune burokratike që synon për t’i zgjidhur problemet nga zyra dhe jo për t’i verifikuar në bazë, e për rrjedhojë po pengon realizimin e detyrave më të rëndësishme në shkollë, siç është pra edhe krijimi i mundësive optimale për kontrollin dhe vlerësimin e punës së mësuesit në shkollë, nga ana e organeve eprore.
Madje lidhur me kontrollet e organizuara për punën e mësuesit në shkollë edhe kontrollet e organizuar nga instancat më të larta, pak janë ndjerë në shkolla, aq më tepër se tani me krijimin e strukturave të reja në arsim( në kuadrin e reformimit te tij) në nivel qendror, rajonal dhe në bazë rrethi siç janë zyrat arsimore, të cilave tashmë u është hequr kompetenca e kontrollit në shkollat vartëse(dukuri kjo që mendoj se nuk ishte e drejtë sepse po ndjehet një mangësi e tillë në drejtim të mbarëvajtjes së punëve në shkolla), duke i kaluar DAR-ve dhe tani strukturës së re në nivel kombëtar e quajtur tashmë IKAPI(inspektimi kombëtar i arsimit parauniversitar), i cili mendoj nuk mund të përballojë dhe mbulojë suksesshëm kontrollin në të gjitha shkollat e vendit tonë.

Lidhur me shkresat dhe informacionet që kërkohen nga instancat më të larta mendoj të jap këtë mendim: më pak ti kushtojmë rëndësi dërgimit të tyre( pa mohuar këtu ato që janë të rëndësishme dhe të domosdoshme) dhe marrjes së informacioneve në shkolla përmes postimit elektronik, pasi kjo nuk është aq rezultateve apo aq e besueshme lidhur me mbarëvajtjen e punëve në shkollë.

Pra, dua të nënvizoj se konkluzioni për punën në shkolla nuk nxirret vetëm përmes marrjes së informacioneve, por përmes kontrolleve që organizohen, veçanërisht t’i jepet prioritet cilësisë së punës së mësuesit në shkollë me nxënësit, pasi ç’do reformë arsimore në ç’do kohë synon në radhë të parë t’i shërbejë interesave të nxënësit, dijeve që ai duhet të marrë për të qenë i vlefshëm për veten e tij dhe për shoqërinë nesër kur të dalë në jetë.

E për ta realizuar këtë kemi nevojë për mësues të aftë dhe të kualifikuar, ndaj kontrolli dhe përgjegjësia e tij për mësimdhënien që zhvillon duhet vlerësuar si një problem parësorë në shkollë.

Së fundi dua të nënvizoj se treguesit e lartpërmendur lidhur me vlerësimin e punës mësimore-edukative të mësuesit në shkollë nuk duhen konsideruar se janë të vetmet, por disa aspekte që unë i quajta si më të rëndësishme në punën e tij, pasi hapësira e punës mësimore-edukative të mësuesit me nxënësit në aspektin pedagogjik është mjaft e gjerë dhe e larmishme.
avatar
Mufit Kaloshi
Admin

Numri i postimeve : 326
Join date : 13/01/2013

Shiko profilin e anëtarit http://kastrioti.albanianforum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi