Shkolla 9-Vjecare Kastriot Diber
SHkolla 9-vjecare Kastriot Forum - Welcome
Pashko Vasa People-icon
Mire se vini ne kete web dhe forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne programe,diskutime,kuriozitete, dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Regjistreohuni qe te keni mundesi te shkarkoni programe.
Stafi.



Join the forum, it's quick and easy

Shkolla 9-Vjecare Kastriot Diber
SHkolla 9-vjecare Kastriot Forum - Welcome
Pashko Vasa People-icon
Mire se vini ne kete web dhe forum, Ju ftojme qe te Regjistroheni, ne menyre qe te keni aksese ne te gjitha kategorit dhe temat, ne programe,diskutime,kuriozitete, dhe Lajmet me te reja nga vendi dhe bota.

Regjistreohuni qe te keni mundesi te shkarkoni programe.
Stafi.

Shkolla 9-Vjecare Kastriot Diber
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Pashko Vasa

Shko poshtë

Pashko Vasa Empty Pashko Vasa

Mesazh nga Mufit Kaloshi Thu Jan 31, 2013 9:16 pm

Pashko Vasa, i njohur sidomos me emrin Vaso Pasha, është një ndër udhëheqësit më të hershëm e më të njohur të lëvizjes sonë kombëtare. Ai ka hyrë në historinë e Rilindjes si ideolog dhe si poet i saj. Lindi në Shkodër më 1825. Mësoi disa gjuhë të huaja si autodidakt dhe fitoi një kulturë shumë të gjerë për kohën. Rreth vitit 1847 shkoi në Itali dhe mori pjesë me armë në dorë në revolucionin e Venedikut kundër pushtimit austriak. U tregua trim dhe me aftësi ushtarake. Pas dështimit të kësaj lëvizjeje, P.Vasa u vendos në Stamboll. Në Turqi P.Vasa u ngrit në shkallën e lartë të hiearkisë shtetërore. Nga viti 1883 e deri sa vdiq, më 1892 në Bejrut, ishte guvernatori i përgjithshëm i Libanit. Gjatë gjithë jetës së tij P.Vasa s'ka rreshtur së menduari për Shqipërinë dhe ka dëshiruar ta shohë të lirë, të pavarur, e të kulturuar. Veprimtaria e tij politike fillon në vitet `60 në Stamboll, ku bashkpunoi me K.Kristoforidhin, Ismail Qemalin, Hoxha Tasinin. Mori pjesë në përpjekjet për oragnizimin e shoqërive patriotike e kulturore, për krijimin e një alfabeti të shqipes dhe bashkë me Samiun ishte ndër themeluesit e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. P.Vasa qe një nga frymëzuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit dhe mbrojti me forcë çështjen kombëtare në Stamboll dhe në qarqet diplomatike jashtë perandorisë.
Veprimtarinë letrare P.Vasa e zhvilloi kryesisht në vitet `50-`60 të shekullit XIX. Gjithë krijimtaria e tij lidhet ngushtë me atdheun, me historinë dhe lashtësinë e popullit shqiptar, me mbrojtjen e të drejtave të tij si komb. "A mos është krim ta duash vendin tënd? - shkruante ai. - Ajo që është një cilësi, një virtyt për të tjerët, nuk mund të jetë tjetër gjë për ne„. Shkroi poezi, prozë artistike, publiçistikë dhe libra gjuhe.
Veprat më të rëndësishme të P.Vasës janë: përmbledhja me vjersha "Trëndafila dhe gjemba„(1873), ku flet me zjarr e mall për vendlindjen dhe dëshiron lirinë e Shqipërisë. Më 1879 botoi frëngjisht trajtesën: "E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët„, në të cilën argumenton lashtësinë e popullit shqiptar, tregon vetitë e tij dhe mbron të drejtat kombëtare. Botoi më 1890 romanin "Bardha e Temalit„ të shkruar frëngjisht, ku përshkruan zakone e doke të jetës shqiptare në sfondin e luftës për çlirim kombëtar. Shkroi edhe një "Gramatikë të shqipes për të huajt„(1887). Por kryet e vendit në krijimtarinë e tij e zë vjersha "O moj Shqypni„
Kjo vjershë lindi në ditët e stuhishme të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit dhe qarkulloi gojë më gojë, ngandonjëherë edhe si këngë. Në të ndihet jehona e ngjarjeve dramatike që kalonte vendi ynë, kur shqiptarët mbronin me gjak trojet e tyre nga lakmitë e shovinistëve fqinjë dhe nga vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit. Vjersha sintetizon në mënyrë poetike gjithë idetë e mëdha të lëvizjes kombëtare dhe me patosin kushtues, shërben si një manifest poetik i saj.
Vjersha është ndërtuar mbi bazën e antitezës. Për nga brendia ajo përmban dy pjesë, dy tablo të Shqipërisë. Në të parën, si gjithë rilindësit, me nota romantike e idealizuese autori prezanton të kaluarën, kurse në pjesën e dytë përshkruhet me ngjyra rrëngjethëse gjendja e mjerë e atdheut të robëruar.
Vjersha fillon me ton elegjiak, me një pyetje plot dhembje sdrejtuar Shqipërisë, që e kanë "qit me krye n'hi„, që s'e ka më forcën dhe lavdinë e mëparshme.
Me një ndjenjë krenarie, poeti na jep përfytyrimin e dikurshëm, të Shqipërisë si një zonjë e rëndë, plot begati, trimëri e dinjitet e, mbi të gjitha, plot vlera njerëzore:

me armë të bardha, me pushkë ltina,
me burra trima, me gra të dlira,
ti ndër gjithë shoqet ke kenë ma e mira.

Poeti evokon me pak vargje edhe traditat luftarake e lavdinë e së kaluarës, ato vite kur besa dhe lufta e trimave shqiptarë bënin të dridhej qiell e dhè, të dridhej armiku otoman gjer thellë në strofkullën e tij. Këto vlera frymëzonin respekt të pakufijshëm të të gjithë burrave ndaj Shqipërisë, duke pasur për nder ta quanin "nënë„. Poeti, si mjaft rilindës të tjerë, krijon raportin nënë-bir dhe e përdor si mjet themelor simbolin e figurës së nënës. Edhe më pas, thirrjet që u drejton bashkatdhetarëve, ua drejton në emër të kësaj lidhjeje, në emër të detyrës që ka çdo bir ndaj nënës, ndaj atdheut.
Toni elegjiak rishfaqet në fillim të pjesës së dytë, përzier me mllef të papërmbajtur, kur i drejtohet zemërcoptuar Shqipërisë:

Po sot, Shqypni, po m'thuej si je?
Po sikur lisi i rrzuem përdhe!

Poeti zbulon edhe shkaqet e kësaj gjendjeje: shqiptarët kanë harruar "besën e të parëve„ dhe janë përçarë në Fè të ndryshme. Dhe si ideolog dhe militant i lëvizjes kombëtare, autori u drejtohet bashkatdhetarëve:

Po jeni vllazën t'gjithë, more t'mjerë

Megjithëse toni elegjiak ndihet edhe në vargje të tjera të pjesës së dytë, poeti nuk bie në dëshpërim, madje me këtë mënyrë ai kërkon të prekë në sedër gjithë shqipëtarët. Kujt i bën zemra të shohë të poshtëruar, të coptuar e të dobët nënën e dashur. Me besim të patundur në forcën dhe shpirtin patriotik dhe luftarak të tyre, poeti i jep tone burrërore vargut dhe ngre zërin për luftë të armatosur, si e vetmja rrugë për ta shpëtuar atdheun nga shtypja e mjerimi. Është nder që jetën t'ia falësh Shqipërisë.
Vjersha që nis me një pasthirrme tronditëse, elegjiake, mbyllet me një apostrofë kushtruese:

Coniu, shqiptarë, prej gjumit, çoniu,
të gjithë si vllazën n'një besë shtrëngoniu,
e mos shikjoni kisha e xhamia,
feja e shqiptarit asht shqiptaria!

Vetëm një atdhetarizëm i flaktë mund te krijonte vargje me një forcë të tillë, vargje që shpallën parrullën e madhe rilindase se kombi është mbi çdo fè, se shqiptaria, atdheu, e ardhmja e tij janë gjithçka. P.Vasa është një nga të parët që lëshoi kushtrimin për t'u bashkuar pa dallim feje.
Vërtet në pikpamje të kompozicionit vjersha përbëhet prej dy pjesësh dhe theksi vihet më tepër tek e dyta, por patosi i saj i drejtohet edhe së ardhmes. Ajo u shkrua e frymëzuar nga aspiratat për ta parë Shqipërinë të lirë, të përparuar e plot dinjitet. Vjersha "O moj Shqypni„ është një nga krijimet më të frymëzuara të poezisë shqiptare. Figuracioni i pasur e shprehës, epitetet, krahasimet, pyetjet retorike plot ngarkesë emocionale, shkodranishtja e kuptueshme dhe e ëmbël e bënë atë aq ndikues tek masat. Vargu dhjetërrokësh (pesërrokësh i dyzuar) i jep poezisë një ritëm marshi, në përputhje me përmbajtjen, duke sintetizuar thuajse gjithë idetë e lëvizjes kombëtare: krenarinë për të kaluarën, dashurinë për vendin, urrejtjen për robërinë, thirrjen për bashkim, vjersha "O moj Shqypni„ u bë një nga kryeveprat poetike të Rilindjes.
O Moj Shqypni

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n'hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t'mira e begati,
Me varza t'bukura e me djelm t'ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n'luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s'i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t'rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t'bardhë gjithmonë asht da.


Por sot, Shqypni, pa m'thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t'ambël askush s'ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s'të ka mbetun as em'n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t'zezë.
Shqyptar', me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:"jam turk", tjetri:"latin"
Do thonë: "Jam grek", "shkje"-disa tjerë,
Por jemi vllazën t'gjith more t'mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n'votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t'fitoni,
Besën e t'parëve t'gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t'huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n'dhe!
E s'i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M'ata sy t'bukur q'dini me qa,
Eni t'vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet' e shkretë pa em'n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s'pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m'e e lan' me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s'e do
Këtë faqe t'zezë gjithkush e dro!
Para se t'hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n'dorë le t'desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n'nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n'Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap'edhe rrezë,
Asht tok' e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t'tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit.
Mufit Kaloshi
Mufit Kaloshi
Admin

Numri i postimeve : 326
Join date : 13/01/2013

https://kastrioti.albanianforum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Pashko Vasa Empty Re: Pashko Vasa

Mesazh nga Mufit Kaloshi Thu Jan 31, 2013 9:17 pm

Vepra 120-vjeçare e rilindasit Pashko Vasa. “Bardha e Temalit”, ribotohet i pari roman i shkruar nga një shqiptar. Rilexohet me çelësat dogmatikë


Nuk ka shqiptar që të mos i dijë dy vargje nga poema “O moj Shqypni” e Pashko Vasës (1825-1892). Janë si melhem i zi edhe për gjendjen e sotme shpirtërore, morale apo fetare të shqiptarëve. “O moj Shqypni, e mjera Shqypni/ Kush të ka qitë me krye n’hi” përdoren shpesh si retorikë për klasën e sotme politike; “edhe mos shikoni kisha e xhamia/ fe e shqyptarit asht Shqyptaria” sillet si mentalitet dëshmitar në debatet për identitetin fetar të shqiptarit. Aktivistin e Rilindjes ia kujtojmë sot lexuesit si prozator, pavarësisht se të vetmin roman të tijin dhe i pari në letërsinë shqipe e shkroi në gjuhën frënge, nëntë vjet para themelimit të alfabetit të shqiptarëve, pra më 1890. “Bardha e Temalit” është botimi i fundit i “Naim Frashërit”, sipas përkthimit nga frëngjishtja të Sotir Cacit me parathënien e Dhimitër Shuteriqit, vepër që nuk është shpërndarë akoma si duhet në treg. Po nuk është vetëm kjo. Për “Bardhën” e Vasës thuhet se është libër i piratuar në gjithë këto vite. Është e vërtetë? Pyetëm drejtorin prej dy vitesh e gjysmë të shtëpisë botuese “Naim Frashëri” që nuk i ka mbeturgjë nga lavdia e dikurshme. “As që diskutohet dhe ka të njëjtin fat që kanë dhjetëra e dhjetëra tituj të marra nga “Naim Frashëri”. E kanë botuar 2-3 shtëpi botuese emrat e të cilave nuk mund t’i them tani, por që botimet kanë qenë pa etiketën e “Naim Frashërit”,” na tha Bahri Myftari. “Faktikisht, - do thoshte ai, - botimet pirate nuk ma merr mendja se gjenden në qarkullim, duke tatuar pulsin e tregut dhe kërkesat, veç kësaj ai botim që më ka rënë mua në dorë nuk është absolutisht i krahasueshëm me tonin.”

Në të vërtetë as vetë ky “Naim Frashër” që drejton Myftari nuk tregohet i sinqertë deri në fund me botimin. Në faqen e të dhënave jepet edhe numri i celularit të drejtorit, por jo të dhënat për ribotimet që i janë bërë “Bardhës” në vite.

Libri në fjalë ka një fjalë hyrëse të Dhimitër Shuteriqit. A nuk do ishte mirë që botimi i rrallë të kishte edhe një vështrim studiuesi të kohës sonë, për t’i bërë një lexim “tjetër” veprës së vitit 1890? “Po, po, e kam pasur parasysh edhe këtë që thua ti, po studiuesit e përkthyesit ku t’i gjesh” përgjigjet Myftari.

Parafjala e Shuteriqit na çon në vitet e regjimit kur feja, një element që ai e merr për diskutim nga romani “Bardha e Temalit” shihet si një “kufizim i autorit”, i cili “nuk e ka kuptuar se sa false dhe e paaftë është për të sjellë emancipimin shoqëror, për të siguruar një të ardhme më të mirë”.

Në prezantimin që i bën Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shtëpisë botuese “Naim Frashëri” thotë se pas viteve 90-të, kjo shtëpi duke larguar njëherë e mirë parimet dogmatike të trashëguara nga realizmi socialist, u përpoq dhe mundi të kapë kohën, të shfrytëzojë traditën e mirë, të shfrytëzojë hapësirat e reja, dhe të vërë për kryefjalë: cilësinë, vlerën e veprave apo të autorit.

Pikërisht për fotokopjimin e leximit të traditës ishte fjala, kur drejtori Myftari që është vetë shkrimtar, e ktheu: “Edhe sikur të kenë bërë ndonjë gabim të vogël ata “të vjetrit”, janë shumë të falshëm në krahasim me gabimet dhe ato që ndodhin sot në letërsi. Kështu që nuk mund t’i heqësh dot asgjë këtij botimi. Këtë jua them jo vetëm si nostalgji, jo vetëm si elbasanas, por realisht parathënia e Shuteriqit është shumë ndihmuese për lexuesin. Veç kësaj përkthimi është bërë nga një kryemjeshtër i frëngjishtes si Sotir Caci”.

Ashtu siç nuk kishte arsye dikur t’ia priste mendja njeriu, as vetë Sotir Cacit, “Naim Frashëri” i paguan të drejtë autori, e në mos qoftë, gjallë paguan trashëgimtarët.

Kështu vajzës së Cacit i ka takuar të marrë 30 mijë lekë të cilat familja e saj me dashamirësi nuk i ka tërhequr fare.

“Naim Frashëri”, pasi është mjelë sa është tharë, sot mbahet nga tre njerëz: drejtori, ekonomisti dhe menaxheri. Ajo boton letërsinë shqiptare të traditës dhe autori kryesor është Naim Frashëri. Po sot nuk është gjë e re ribotimi i Frashërit, Asdrenit, Çajupit, sepse janë autorë të programeve shkollore. Në të kundërt, është i kuptueshëm edhe ky pak shërbim që i është bërë “Bardhës së Temalit”. Shkurt: pasuria e “Naim Frashërit” thënë nga goja e drejtorit Myftari, “janë veprat që kanë mbetur, ato pak që kanë mbetur, kryesisht të Naim Frashërit. Është në interes të shtetit që ta mbajë këtë shtëpi botuese për të zbatuar politikat e veta”.

Le t’i kthehemi “Bardhës” jeta në të ardhmen e të cilës është e lidhur me këtëpanoramë të viteve dymijë. “Barda de Témal”, në origjinal ose “Scenes de la vie albanaise” u botua Paris më 1890 nga Albeert Savine, me pseudonimin Albanus Albano. Është quajtur një roman shoqëror, një roman dokesh e zakonesh që për kohën kur është shkruar ngre probleme të rëndësishme si emancipimi i gruas. Bardha nga Temali përballet me kodet më të ashpra me të cilat një grua e kohës së saj dhe më vonë e kish lidhur jetën: martesë me një burrë të panjohur. Dhe në horizonte, aq e rrallë, shfaqet si shpëtim një dashuri me “një njeri qytetar”. “Pashko Vasa është mjeshtër në dhënien e nuancës dialektore. Nëse ka ndonjë naivitet në hartimin e konfliktit, është normale”, thotë botuesi Myftari. Ai e quan një peizazhist të jetës shkodrane, vend ku Vasa u lind, “një rilindas i madh edhe në letërsi”.
Mufit Kaloshi
Mufit Kaloshi
Admin

Numri i postimeve : 326
Join date : 13/01/2013

https://kastrioti.albanianforum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi